Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e vizitës së tij në Kosovë ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Këtë takim Meta e konsideroi shumë të përzemërt.
“Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara”, ka shkruar Meta në llogarinë e tij në Facebook.
Meta është shprehur se nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit”.
Presidenti shqiptar ka përfunduar duke thënë se Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe evropianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.
Të premten e 22 korrikut, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Kurti në takim me presidentin Meta: Të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme