Disa zjarre kanë shpërthyer në veri dhe jug të Mitrovicës të shtunën, gjatë ditës. Zjarri më i madh është ai në malet e fshatit Zasellë, më saktësisht në Kodrën e Cërrnushës.
Zjarri atje është duke vazhduar, ndërkohë që drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni tha për RTV Dukagjini se nuk ka nevojë për evakuim të banorëve.
“Për momentin janë tri makineri të zjarrfikësve dhe diku 23 zjarrfikës. Zjarri është duke vazhduar, është i lokalizuar me përmasa goxha të mëdha mirëpo për momentin nuk paraqet rrezik”, ka deklaruar Maxhuni.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se kanë biseduar me banorët në Zasellë dhe se ata u kanë ofruar ndihmë zjarrfikësve, ndërsa, nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u është thënë se nuk ka nevojë për tu shqetësuar, apo për të bërë ndonjë evakuim.
Ndërkaq, Zjarrfikësit janë në terren të pjesës veriore dhe thonë se po bëjnë gjithçka për të ndalur përhapjen e zjarrit.
Po ashtu, zjarri në pjesën veriore ka ardhur afër stacionit të ri të transformatorit në malet e Zveçanit.
Fexhrije Pllana, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut e ka konfirmuar shpërthimin e zjarreve në Mitrovicë.
“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në fshatin Cërnushë. Zjarri është përhapur në fshatin Kqiq, te pishat dhe fshatin Zasellë. Njësitë policore, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-i janë në vendngjarje duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin dhe ne rast nevoje edhe evakuimin e banoreve”, ka thënë Pllana.
Ndërkaq, Evropa po përballet me zjarre si pasojë e valës së të nxehtit që po mbretëron ditëve të fundit.
Zjarret e mëdha në Evropë janë bërë më të shpeshta, po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar.
Franca, Spanja, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia janë disa nga vendet që po përballen me zjarre.
Mijëra të evakuuar pasi nxehtësia shkakton zjarre në Evropë dhe Afrikën e Veriut