Berlini po shqyrton blerjen e një sistemi të mbrojtjes raketore nga Izraeli ose Shtetet e Bashkuara për t’u mbrojtur kundër kërcënimeve, duke përfshirë raketat ruse Iskander në Kaliningrad, raportoi të shtunën e përjavshmja gjermane Welt am Sonntag.
Raketat Iskander mund të arrijnë, pothuajse, të gjithë Evropën Perëndimore, dhe nuk ka asnjë mburojë raketore për t’u mbrojtur kundër këtij kërcënimi, ka thënë shefi i mbrojtjes gjermane Eberhard Zorn për Welt am Sonntag në një intervistë të shtunën.
“Izraelitët dhe amerikanët zotërojnë sisteme të tilla. Cilin preferojmë ne?
A do të arrijmë të krijojmë një sistem të përgjithshëm (mbrojtje raketore) në NATO?
Këto janë pyetjet që duhet t’u përgjigjemi tani,” ka thënë Zorn.
Ai nuk specifikoi emrat e sistemeve, por ka shumë të ngjarë t’i referohej Arrow 3 të ndërtuar nga Israel Aerospace Industries (IAI) dhe sistemit amerikan THAAD të prodhuar nga Raytheon.
Rusia tha në vitin 2018 se kishte vendosur raketa Iskander në enklavën e saj të Kaliningradit, pjesë e Rusisë e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.
Një sistem i lëvizshëm i raketave balistike Iskander zëvendësoi raketën Sovjetike Scud, dhe dy raketat e tij të drejtuara mund të mbajnë koka luftarake konvencionale ose bërthamore.
Në një fjalim historik, disa ditë pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se, “Berlini do të rrisë shpenzimet e tij të mbrojtjes në më shumë se 2% të prodhimit të tij ekonomik, duke injektuar 100 miliardë euro në ushtri”.
Zorn i përket një grupi zyrtarësh të rangut të lartë që konsultohen me Scholz-in se si t’i shpenzojnë këto para.
“Deri më tani, vetëm një gjë është e qartë: ne nuk kemi as kohë dhe as para për t’i zhvilluar vetë këto sisteme (mbrojtje raketore), sepse dihet se kërcënimi i raketave tashmë ekziston”, ka thënë Zorn.
Duke iu referuar mungesës së Gjermanisë për një mbrojtje raketore me rreze të shkurtër, e cila mund të përdoret për të mbrojtur trupat në lëvizje ose nën kërcënim gjatë dislokimit, ai tha se Berlini kishte filluar të kërkonte blerjen e sistemeve të tilla dhe tani duhet të marrë një vendim.
Përtej kësaj, Bundeswehr-i do të duhet të investojë 20 miliardë euro deri në vitin 2032 për të rimbushur depot e municioneve, ka shtuar Zorn.