Lidhur me zjarrin e djeshëm në Mitrovicë, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë së: “Duke iu falënderuar angazhimit të zjarrfikësve, FSK-së dhe KFOR-it situata është stabilizuar, por rreziku i rishfaqjes së vatrave vazhdon. Zjarrfikësit vazhdojnë të jenë prezent”.
Policia dje kishte njoftuar se në fshatin Cernushë zjarri ishte i përmasave shumë të mëdha dhe kishte përfshirë sipërfaqe të mëdha të pyjeve. Po ashtu i ishte afruar shtëpive të banuara, ku disa familje janë evakuuar për shkaqe sigurie.
Në vendngjarje janë ftuar edhe njësi të FSK-së dhe KFOR-it të cilët kanë ofruar asistimin e tyre si me personel poashtu edhe me pajisje. KFOR-i ka ofruar asistimin me helikopter për shuarjen e zjarreve.
Sipas njoftimit të policisë, me ndihmën e ofruar nga KFOR-i dhe FSK-ja, nuk ka më zjarre aktive në asnjë zonë të Mitrovicës dhe gjatë tërë natës pjesëtarë të FSK-së kanë qëndruar afër vatrave të zjarrit derisa ato janë shuar plotësisht.
Drejtori i Emergjencave në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni tha se kanë kërkuar përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave që ekipe të FSK-së dhe KFOR-it të jenë në gjendje gatishmërie në rast se nuk arrijnë të lokalizojnë gjithë zjarrin që ka ndodhur në fshatin Zasellë.