Administrata Tatimore e Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar se, për tre muaj kanë mbledhur 177.7 milionë euro të hyra.
Sipas ATK-së, këto të hyra e kanë kaluar planin e paraparë për 23.2 milionë euro.
“Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon me trendin rritës të mbledhjes së të hyrave për tremujorin e parë të këtij viti. Janë realizuar 177.7 milionë euro të hyra, të cilat në krahasim me planin, tejkalohen pritshmëritë për 23.2 milion euro apo 15.1 % me shume”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Në komunikatë thuhet se, këtë vit ka pasur më shumë rritje të të hyrave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ATK-së, ndikues në rritjen e këtij niveli të të hyrave janë rritja e kontrollit të brendshëm, trajtimi i borxheve sipas reformës, intensifikimi i aktiviteteve në teren, si dhe shtrirja e projekteve të cila kanë dhënë efektin e tyre në performancën e të hyrave tatimore.
Sipas Administratës Tatimore, plani strategjik për katër vitet e ardhshme, përmban tri qëllime strategjike. Ato janë, përmirësimi i qëndrueshëm për mbledhjen e të hyrave, përmbushja e objektivave fiskale të Qeverisë, modernizimi i ATK-së.