Në njëvjetorin e aksidentit me autobus në Slavonski Brod të Kroacisë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i ka përkujtuar viktimat të cilët e kishin humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Në atë aksident e kishin humbur jetën dhjetë mërgimtarë me prejardhje nga Kosova dhe ishin lënduar edhe dhjetra të tjerë.
“Në njëvjetorin e humbjes së tyre shpresoj që familjarët të jenë të fortë ndonëse dhimbja është e madhe. Po ashtu, gjej rastin të falënderoj nga zemra autoritetet kroate për reagimin e shpejtë, kujdesin por edhe për bashkëndjenjën që kanë pasur me ne”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri Sveçla ka thënë se mërgata e “ka mbajtur vendin gjallë në kohë lufte e paqe. Andaj, humbja e mërgimtarëve tanë që po vinin në vendlindje është plagë e madhe jo vetëm e familjeve por e të gjithë neve”.
Në fund ai iu ka bërë thirrje të gjithë mërgimtarëve që e vizitojnë Kosovën këto ditë të kenë kujdes.