Kroacia numëron 10 raste të lisë së majmunëve, të gjithë meshkuj nga mosha 30 deri në 50 vjeç.
Konfirmimi i rasteve erdhi nga epidemiologia kroate, Goranka Petroviç e cila ka thënë se pret që vaksinat kundër këtij virusi të vijnë në javët në vazhdim.
Çka dihet deri tani është se dy prej tyre janë infektuar jashtë vendit.
“Secili vend i Bashkimit Evropian do të miratojë planin e tij të vaksinimit kundër lisë së majmunëve dhe dozat e para mund të mbërrijnë në Kroaci pas disa javësh, megjithëse nuk është caktuar një datë specifike”, ka thënë Goranka Petroviç.
“Në Kroaci planifikojmë të vaksinojmë ata persona që kanë qenë në kontakt të ngushtë me personat e infektuar, brenda 4 deri në 14 ditë nga ekspozimi ndaj infeksionit”.
Është miratuar përdorimi i vaksinës kundër lisë së majmunëve nga Komisioni Evropian.
Kjo pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë, e shpalli linë e majmunëve emergjencë shtetërore globale.
Nga lia e majmunëve deri më tani janë prekur 16 mijë persona në 72 shtete të botës. Në BE që prej vitit 2013 vaksina Imvanex ka marrë miratimin për përdorim kundër lisë, shkruan REL.