Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një takim lamtumirës me ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.
Ai ka potencuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Bislimi e ka falënderuar ambasadoren Hernmarck për bashkëpunimin, mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për Kosovën, veçanërisht për rolin e saj aktiv në mbrojtje të mjedisit dhe politikave të gjelbra.
“Kosova mirëpret mundësitë për rritje të investimeve për investitorët dhe kompanitë e mëdha suedeze, të cilat mund të kontribuojnë mes të tjerave në zhvillimin e inkubatorëve të bizneseve, energjinë, menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në njoftimin për media.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar sukseset e Kosovës në sundimin e ligjit, demokratizimin, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe migrimit.
Bislimi shprehu mirënjohje për punën e frytshme të Ambasadores dhe ekipit të saj duke vlerësuar impaktin e rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Suedisë.
“Suedia është ndër katër donatorët më të mëdhenj në Kosovë, e cila ka ndihmuar me mbi 10 milionë euro në vit institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile në projektet për zhvillim ekonomik dhe demokratik, të drejta të njeriut dhe mbrojtje të mjedisit, që kanë ndihmuar në transformimin e shoqërisë tonë”, ka thënë Bislimi.
Ai shtoi se Kosova sheh tek shteti i Suedisë një model të demokracisë dhe lirisë.