Kryesia e Kuvendit është dakorduar që të caktohen dy seanca të Kuvendit, njëra më 28 korrik (të enjten) kurse tjetra me 29 (të premten), e cila është vazhdim i seancës së kaluar.
Në seancën e së premtes një nga pikat kryesore të rendit të ditës do të jetë diskutimi për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, tha se në seancën e 28 korrikut do të tentohet të miratohet projektligji për Rregulloren e Kuvendit, projektligji për financimin e partive politike e kështu me radhë.
Kurse seanca e ditës së premte do të përfshijë pikat e papërfunduara, siç është raporti i KOSTT-it dhe diskutimet e liberalizimin e vizave.
Kusari-Lila bëri të ditur se kanë rënë dakord me opozitën për votimin e marrëveshjes së partneritetit me BE-në IPA 3, për të nevojiten 80 vota.
Iniciativa e PDK-së
Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njoftoi se kjo parti ka iniciuar shqyrtimin e parë të projektligjit për rregullimin e çmimeve medicinale.
Deliu tha se në kohën e pandemisë, gjatë vitit të kaluar, qytetarët e Kosovës kanë paguar miliona euro më shumë për barna sesa vendet e rajonit.
Përmes këtij projektligji, sipas Deliut do të synohet që të rregullohet çmimi i barnave.
“PDK-ja ka pasur iniciativë që të rregullohet çmimi i barnave medicinale. Qytetarët kanë paguar 6 milionë euro në vit më shumë sesa në vendet e rajonit. Përmes këtij projektligji kemi synuar ta rregullojmë këtë, dhe qytetarët të mos paguajnë çmime të ndryshme për barna të njëjta”, ka deklaruar ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
AAK kërkon interpelancë për ligjin e pagave
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Kryesia e Kuvendit dy interpelanca një lidhje me ligjin e pagave dhe tjetra për zyrtarët publikë. Sipas tij Qeveria e Kosovës ka dështuar ta miratojë një ligj të tillë, sipas tij tejet të nevojshëm për punëtorët e sektorit publik.
Tahiri ka thënë se Ligji i pagave është në planin legjislativ që një vit e gjysmë, për këtë arsye partia e tij ka kërkuar interpelancë.