Në njëvjetorin e aksidentit me autobus në Slavonski Brod të Kroacisë, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka përkujtuar viktimat të cilët e kishin humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Berishaj bashkë me delegacionin nga Ambasada e Kosovës në Zagreb, Sefadin Kuçin – atashe i migrimit dhe Shpend Zogajn – atashe ushtarak, kanë vendosur kurorë me lule në vendin kur para një viti ndodhi tragjedia, ku humbën jetën 10 persona, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 persona kishin lëndime më të lehta.
“Ambasadori Berishaj, në fjalën e vet, posaçërisht u ndal në përkushtimin e pashoq të Kryeministrit të Qeverisë së Kroacisë Andreja Plenkoviq dhe ministrave, institucioneve shtetërore, policisë, mjekëve në spitalin “Dr. Josip Bançeviq”, zjarrfikësve si dhe të gjithë qytetarëve të Prefekturës së Sllavonski Brodit të cilët treguan solidaritet ndaj familjeve që pësuan këtë tragjedi”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Me këtë rast Ambasadori Berishaj me bashkëpunëtorë u ndau mirënjohje Kryeshefit te Administratës policore Brodsko- Posavska, Antun Valiq, si dhe Perfektit të Perfekturës Brodsko Posavska Danijel Marushiq.
Me rastin e njëvjetorit të fatkeqësisë, viktimat i ka përkujtuar edhe ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla.
“Në njëvjetorin e humbjes së tyre shpresoj që familjarët të jenë të fortë ndonëse dhimbja është e madhe. Po ashtu, gjej rastin të falënderoj nga zemra autoritetet kroate për reagimin e shpejtë, kujdesin por edhe për bashkëndjenjën që kanë pasur me ne”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ministri Sveçla ka thënë se mërgata e “ka mbajtur vendin gjallë në kohë lufte e paqe. Andaj, humbja e mërgimtarëve tanë që po vinin në vendlindje është plagë e madhe jo vetëm e familjeve por e të gjithë neve”.
Ndryshe, 25 korriku i vitit të kaluar ishte shpallur ditë zie nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ky ishte aksidenti më i madh tragjik në rrugët e Kroacisë në 15 vjetët e fundit.