“Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, për çka shteti ynë asnjëherë nuk do ta harrojë, sepse Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i saj dhe as nga shteti ligjor dhe i së drejtës”.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka përkujtuar pjesëtarin e policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili kishte rënë dëshmor në kryerje të detyrës zyrtare.
Kreu i qeverisë në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se çdo përvjetor i rënies së Enver Zymberit, rikthen britmat e kujtesës institucionale, për t’i çuar para drejtësisë ata që e vranë dhe për t’i rimenduar mësimet e mësuara nga aksioni i filluar më 25 korrik 2011.
“Në kronologjinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, disa data janë të shënjuara edhe me emra të përveçëm, sikur 26 korriku i vitit 2011, kur gjatë një aksioni policor për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, pati rënë dëshmor pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi”, shtoi Kurti.
Zymberi u vra nga struktura kriminale serbe, që ende nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
“Dikur, për dekada rresht, shqiptarët kanë rënë dëshmorë për një Republikë të Kosovës që e synonim por që nuk e kishim, kurse tani që e kemi Republikën e Kosovës, ajo ka edhe dëshmorët e përplotësimit dhe ruajtjes së saj, sikur Enver Zymberi”.
Kurti ka potencuar se në nderim të veprës së Enver Zymberit dhe policëve të rënë në detyrë, në mbledhjen e 24-t të Qeverisë, është propozuar që 26 korriku të shënohet si Dita e Policëve të rënë në krye të detyrës.
Në Kosovë janë 21 zyrtarë policorë që e kanë humbur jetën në krye të detyrës së tyre.
12 vjet nga aksioni i policisë në veri ku u vra Enver Zymberi