Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar veprën dhe rënien e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberit.
Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Zymberi ra heroikisht për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.
“Sot, kujtojmë dhe nderojmë Heroin e Kosovës, policin shembullor Enver Zymberi. 11 vjet më parë, Enveri ra heroikisht në krye të detyrës, duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”, ka shkruar Krasniqi.
Po ashtu, kreu i PDK-së, ka përmendur edhe Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të cilët humbën jetën e tyre gjatë detyrës zyrtare.
“Në nderim të Enverit, sot shënojmë edhe Ditën e të gjithë policëve të Kosovës të rënë në detyrë që prej themelimit të Policisë sonë”.
“Ne, si qytetarë dhe si shtet, u jemi përgjithmonë mirënjohës Policisë për punën e palodhshme, sigurinë dhe mbrojtjen që na ofrojnë, ditë dhe natë, në secilën ditë të vitit. Lavdi Enver Zymberit dhe të gjithë policëve të rënë në detyrë”, shkroi ai.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa ka përkujtuar 21 zyrtarët policorë që kanë rënë gjatë detyrës së tyre, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që në bashkëveprim me policinë, të veprojnë shpejt dhe drejt në zbardhjen e vrasjes së Enver Zymberit dhe gjithë të tjerëve, duke i sjellë para drejtësisë kriminelët.
“Është nder por edhe krenari për të kujtuar veprën heroike të 21 zyrtarëve policorë që ranë në krye të detyrës. Para çdo zyrtari tjetër, është polici ai që mund të krijojë te qytetari ndjenjën se institucioni i shtetit dhe mjetet e pushtetit janë në dispozicion të tij, se vetë shteti është në mbrojtje të qytetarit. Për të arritur këtë na duhet që të gjitha institucionet përkatesë të bashkëpunojnë”, ka thënë Sveçla.
Drejtuar zyrtarëve policorë, ministri Sveçla, ka thënë se “krimi nuk ka uniformë”.
Sipas tij, krimi është fenomen që dëmton ekonominë dhe tregtinë e Republikës dhe pengon zhvillimin e vendit.
“Krimi është dhunë që dëmton individin, familjen dhe gjithë substancën e shëndoshë të shoqërisë sonë. Përballë këtij krimi pa uniformë, polici ka uniformë, atë të shtetit të Kosovës, Republikë e cila duhet të jetë në krah të policëve gjithmonë”, shtoi ai.
Në Kosovë janë 21 zyrtarë policorë që e kanë humbur jetën në krye të detyrës së tyre.