Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë të pandehurve.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit si persona zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetrin apo që t’u shkaktojnë dëm personave të tjerë, në atë mënyrë që nga fillimi i muajit dhjetor 2021 e deri më datë 25 korrik, të pandehurit, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13 mijë e 283 eurosh”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, të njëjtit, si persona zyrtarë në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor.
Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas KPRK-së.