Draft-rregullorja e re e punës së Kuvendit pritet të dalë për shqyrtim para deputetëve të enjten, pa zgjidhje të qartë për mungesat e pa arsyeshme të deputetëve dhe ndëshkimin financiar të tyre. Në versionin përfundimtar është larguar edhe “Konferenca e Kryetarëve”, trupa e re e cila parashihej t’ia merrte kompetencat kryesore Kryesisë së Kuvendit. Këto ndryshime erdhen si kompromis pas mospajtimeve ndërmjet partive politike.
Puna e zvarritur qe një dekadë për rregulloren e re të Kuvendit, ka arritur fundin.
Por, drafti përfundimtar ka pësuar goxha ndryshime nga versioni fillestar.
Teksti aktual nuk rregullon drejtpërdrejt atë që kërkohet tash e sa kohë, sanksionimin financiar të deputetëve që mungojnë pa arsye në punimet e Kuvendit.
Këtë përgjegjësi, drafti që do të shqyrtohet të enjten në lexim të dytë, ia lë kryesisë, nga e cila kërkohet që hartojë një dokument të veçantë.
“Kryesia e Kuvendit me akte të veçantë përcakton kushtet dhe mënyrat e kompensimit për pjesëmarrjen e deputetit në mbledhjen grupit të punës, të komisionit apo seancë plenare”, shkruan në draftin e rregullores së re.
Adnan Rrustemi ka kryesuar grupin punues për hartimin e rregullores së re.
Deputeti i Vetëvendosjes thotë se mosrregullimi direkt i kësaj çështjeje ka ndodhur për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive rreth mënyrës se si do të organizohej sanksionimi i deputetëve.
“Nuk është që ka pasur shumë mospajtim sa i përket kufizimit sa ka pasur dilema se si mund të administrohet kufizimi, njoftimi, arsyetimi i mungesës etj. Prandaj kemi vendosur që të krijojmë bazën juridike që kryesia e Kuvendit të nxjerrë një akt të brendshëm ku vendosë kriteret dhe kushtet e administrimit të pjesëmarrjes, të asaj çka konsiderohet pjesëmarrje, kuorum dhe të kompensimit mbi pjesëmarrjen”, ka thënë Adnan Rrustemi, Kryesues i Komisionit për Legjislacion.
Nxjerrja e këtij akti synohet të bëhet brenda gjashtë muajve që nga hyrja në fuqi e rregullores së re.
Ndryshimi i dytë është Konferenca e Kryetarëve.
Sipas draftit të kaluar, kësaj trupe të re parashihej t’i jepeshin disa nga komptetencat aktuale që i ka kryesia e Kuvendit, si thirrja e seancave dhe përcaktimi i rendit të ditës.
Ky nen, sipas Rrustemit, është modifikuar për të shmangur dublifikimin e punës ndërmjet kryesisë dhe konferencës.
“Ne kemi gjetur një mes duke institucionalizuar praktikën aktuale e cila nuk ka qenë e formalizuar, por duke fuqizuar po ashtu rolin e kryetarëve të grupeve parlamentare. Kryesia e Kuvendit në draftin përfundimtar bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare marrin vendim bashkërisht me konsensus sa i përket thirrjes së seancave, rendin e ditës, propozimin e komisioneve, përbërjes”, shton Rrustemi, kryesues i Komisioni për Legjislacion.
Dokumenti që synon të rregullojë mangësitë në funksionimin e legjislativit, përmban edhe ndryshime tjera, kryesisht procedurale.
Puna për hartimin e rregullores së re ka filluar në vitin 2010, derisa legjislatura aktuale është e katërta që merret me këtë proces.