Kjo është një shkolla fillore “Ilmi Bahtijari” në fshatin Blaç të Dragashit. Por, brenda këtij objekti shkollor duket se ka ndodhur një ngjarje e pazakontë në maj të këtij viti.
Një arsimtar i kësaj shkolle tani po akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj disa nxënësve në këtë shkollë.
Madje një gjë të tillë në polici me 13 maj e kishte denoncuar Besar Zejnullahu, që është prind i njërit nga nxënësit e kësaj shkolle.
Lajmërimi i rastit është bërë në Polici ndërsa i njëjti nuk heziton që edhe këtë të marte të tregoj rrëfimin e tij në lidhje me këtë ngjarje.
“Rasti ka ndodh shumë herë por kjo ka qenë rasti i fundit kur unë kom vendos më shkuar në polici. Arsimtari i ka thanë nëse nuk i qitni duart do t’iu godas në trup me rrip. E kemi dërguar edhe hoxhën e fshatit më intervenuar që mos mi rreh ma por apët ka ndodh. Unë kom shkuar në Polici dhe e kam dorëzuar materialin”, ka deklaruar Zejnullahu.
Për këtë këto veprime të arsimtarit të matematikës i cili sipas prindërve nxënësit i kishte rrahur gjatë orës mësimore, nuk kishin dijeni drejtoria e shkollës.
Drejtori, Naser Meleqi thotë se për këtë u njoftua nga drejtoria e arsimit në Dragash.
“Ne e kemi një flet që i shënojmë krejt problemet e ditës, pasi nxënësit nuk na kanë lajmëruar. Ditën e shtune unë jam lajmëruar nga drejtoria e arsimit në Dragash”, ka theksuar Neser Meleqi-Drejtor i shkollës “Hilmi Bahtijari”.
Prindërit kanë bërë edhe një paralajmërim. Ata duanë largimin e arsimtarit në fjalë, ndërsa kërkesa e tyre nuk dihet nëse do të realizohet.
Të paktën për këtë ende nuk ka vendosur komisioni disiplinor, thotë drejtori i arsimit në komunën e Dragashit, Selim Kryeziu.
“Ne kemi formuar një komision por fatkeqësish ka ngecur për të marr vendimin e duhur. Unë kom biseduar më të gjitha palët. Gjykata ka filluar procedure dhe nuk e di cila do të jetë masa e komisionit të formuar”, ka thënë Selim Kryeziu-Drejtor i Arsimit në komunën e Dragashit.
Hetimet për këtë rast kishin filluar nga muaji maj. Fotot e videot e dërguar e në të cilat shihen shenjat e dhunues dhe dëshmitë e nxënësve, janë shkas që të hënën e 25 korrikut, Prokuroria Themelore në Prizren të ngrit akuzën kundër arsimtari D.M me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”.
RTV Dukagjini ka provuar të kontaktoj edhe me arsimtarin në fjalë, por që kontakti me të gjatë ditës ka qenë i pamundur.