Me kritika u përcoll udhëtimi në Amerikë i dy prej udhëheqësve të shtetit për të qenë pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në.
Por, është një takim që kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani do ta zhvillojnë, i cili vlerësohet se arsyeton udhëtimin e tyre në kontinetin e largët.
Bëhet fjalë për sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Takimi ndërmjet Kurtit, Osmanit dhe zyrtarit të dytë me të lartë amerikan pas presidentit, do të mbahet sonte nga ora 22:30 sipas kohës lokale në Kosovë.
Ky takim vlerësohet i një rëndësie të veçantë nga profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.
“Ky është një sinjal jashtëzakonisht pozitiv, por besoj që do të marrin edhe detyra shtesë që duhet t’i implementojnë gjatë rrugës, siç ka qenë letra e sekretarit Blinken. Ajo i ka dhënë disa detyra Qeverisë së Kosovës, e cila nuk ka arritur të gjitha t’i përfundojë edhe pse një pjesë e saj nuk varen nga qeveria, por një pjesë që ka të bëjë me politikën e brendshme, varen drejtpërdrejt nga qeveria,” ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.
Një takim të këtij niveli, Kurti e as Osmani nuk arritën ta zhvillonin rreth dy muaj më parë kur qëndruan për vizitë në SHBA.
Por, dhënien e mundësinë për organizimin e një takimi të tillë pas kësaj periudhe, njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj e shpjegon me qëndrimet e Kurtit për dialogun.
Takimin, Demhasaj e quan lajm të mirë.
“Sipas të gjitha gjasave arsye që nuk ka ardhur deri te takimet e nivelit të tillë ka qenë pikërkisht qasja që Qeveria e Kosovës e ka pasur për dialogun. Kështu që shpresoj që Qeveria e Kosovës e ka ndërruar diskursin politik të saj sa i përket dialogut dhe është e gatshme të ulet me Serbinë dhe të arrijë marrëveshjen finale dhe ajo çka po kërkon Uashingtoni, pra marrëveshje që përfundon me njohje reciproke,” u shpreh analisti politik, Artan Demhasaj.
Vlerësim pak a shumë të ngjashëm për këtë çështje ka edhe profesori Arifi.
“Këto duhet parë nga disa këndvështrime. E para besoj është sepse është arritur marrëveshja për energjinë, është njëfar lloj kushtimisht shpërblimi që Qeveria e ka marrë nga Qeveria amerikane si notë pozitvie. E dyta, mos të harrojmë se sekretari Blinken është edhe anëtar i bordit të MCC-së, pra takimi do të jetë në kuadër të kësaj marrëveshjeje,” shtoi Arifi.
Kurti dhe Osmani udhëtuan në SHBA për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës në vlerë të mbi 200 milionë eurove.
Institucionet që ata drejtojnë kanë paralajmëruar edhe takime të tjera bilaterale.