Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takimin me Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Antony Blinken, ka thënë se Kosova është mirënjohëse gjithmonë ndaj ShBA-ve sepse ata ia kanë shpëtuar jetën qytetarëve të Kosovës.
“Me lejoni që të shpreh falënderim në emër të të gjithë popullit të Kosovës, jetët e të cilëve i ka shpëtuar SHBA-ja”, ka theksuar ajo.
“Partneriteti me SHBA-të nuk është vetëm i domosdoshëm por ka qenë fakt gjatë gjithë historisë se Kosovës, ka qenë ekzistencial për të arritur lirinë e Kosovës, dhe vazhdon të jetë ekzistencial për shtetin e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sipas Osmanit, Kosova është demokraci në zhvillim dhe kjo për të tregon se çka mund të arrijë bota demokratike e cila është e udhëhequr nga “SHBA-ja, kur përballet me tiranin dhe sigurohet që lira të mbizotërojë mbi atë tirani”.
Tutje, Osmani i ka kujtuar Blinken-it, se SHBA-ja siç kishte qëndruar me Kosovën, në vitet 1998-1999, ajo nuk e ka harruar traditën e saj kundër tiranisë dhe tani është duke qëndruar edhe me Ukrainën.
Dhe ajo e ka siguruar Blinken-in se Kosova që nga dita e parë ka qenë me shtetin e Ukrainës ku ka thënë se “Kosova në ditën e njëjtë me SHBA-të dhe Shtetet tjera Perëndimore i ka vendosur sanksionet ndaj Federatës ruse dhe e ka përkrahur Ukrainën që nga dita e parë dhe vazhdojmë ta mbështesim”, ka thënë Osmani në takim me Blinken-in.