Punëtorët e “Kosova Thëngjillit”, të mërkurën kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, me kërkesë që t’iu vazhdohet kontrata e punës.
Kryetari i aksionarëve të “Kosova Thëngjillit”, Imri Restelica ka thënë se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), iu ka bërë padrejtësi atyre.
Sipas tij, rreth 166 punëtorë kanë mbetur të papunë.
“Kemi dalë punëtorët e Kosova Thëngjillit, për momentit na kanë lënë pa punë, KEK-u ka bërë padrejtësi ndaj nesh, jemi 166 punëtorë, 166 familje. Prej vitit 2003 jemi të larguar prej KEK-ut, qëllimi i kësaj protestë është të zgjidhet problemi”, ka deklaruar ai.
Sipas kryetarit të aksionarëve, ata e kanë arritur sasinë e nevojshme të thëngjillit të paraparë me kontratë, por sipas tij ata janë organizatë prodhuese e fitimprurëse dhe nuk do të duhej të largoheshin nga puna.

“Pika e parë ka qenë kthimi në KEK, dhe pika e dytë ka qenë vazhdimi i punës, të cilët padrejtësisht janë larguar nga KEK-u. Jemi kompani prodhuese, kemi pasur vështirësi me kontrata”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se kontratat e tyre janë valide deri në fund të vitit,
“Kontrata jonë është ndërprerë, mirëpo tash e kemi arritur sasinë e thëngjillit në kontratë dhe na është ndërprerë kontrata, edhe pse kemi kontratë valide deri në fund të vitit. Ky problem duhet të zgjidhet, ne nuk duhet të mbesim pa punë”, është shprehur ai.
Në fund, kryetari i “Kosova Thëngjillit”, ka thënë se do të vazhdojnë me protesta në qoftë se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.