Skënder Hyseni, ish-koordinator Shtetëror për Dialog në Qeverinë Hoti, ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka dhënë porosi të qarta për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Hyseni është shprehur se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë përkushtimin e tyre për Kosovë, teksa ka uruar që liderët e Kosovës ta kenë kuptuar, sipas tij, mbylljen e dialogut me Serbinë.
“Uroj qe krerët e Kosovës ta kenë kuptuar rëndësinë, seriozitetin dhe urgjencën e mbylljes së dialogut me Serbinë me marrëveshje për njohje të ndërsjellë, që është thelbësore për integrimet e përshpejtuara euro-atlantike e ndërkombëtare të vendit tonë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Ndërkaq, për këtë vizitë, Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje. Sipas tyre, anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, rëndësia e dialogut i lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor, ishin disa nga temat e diskutuara gjatë takimit midis Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe delegacionit nga Kosova në Washington.