Shtatë persona janë vrarë nga rrufeja në veri të Indisë, duke e çuar numrin total të të vdekurve në 49 këtë javë.
Të gjithë ata që kanë vdekur ishin në shtetin Uttar Pradesh, i cili aktualisht është në sezonin e musonit.
Shtatë vdekjet më të fundit ishin kryesisht fermerë fshati, të cilët ishin strehuar nën pemë gjatë një rrebeshi shiu. Katër ishin nga e njëjta familje, sipas policisë në qytetin e afërt të Kaushambi.
Deri më tani këtë sezon, më shumë njerëz kanë vdekur nga goditjet e rrufesë sesa incidentet e lidhura me shiun si përmbytjet.
Në vazhdën e vdekjeve, qeveria ka nxjerr disa udhëzime të reja për stuhitë.
Zëdhënësi Shishir Singh ka thënë: “Njerëzit po vdesin më shumë nga rrufetë sesa nga incidentet e lidhura me shiun, megjithëse kjo është koha kur njerëzit zakonisht vdesin nga përmbytjet ose incidente të tjera të lidhura me shiun.”
Koloneli Sanjay Srivastava nga Departamenti i Meteorologjisë Indiane ka thënë se pothuajse 750 njerëz në Indi janë vrarë nga rrufeja që nga prilli, raporton Sky News.
Sunita Narain, drejtoreshë e përgjithshme e Qendrës për Shkencën dhe Mjedisin, ka theksuar se ngrohja globale po ndikonte në numrin e goditjeve.
Dhe J P Gupta, drejtor i Departamentit Meteorologjik, ka thënë se stuhitë dhe vetëtimat janë shtuar këtë vit për shkak të rritjes së niveleve të ndotjes.
Ai ka shtuar: “Temperatura e lartë e tokës çon në avullim nga trupat ujorë që shtojnë lagështi në atmosferë.
“Prania e aerosoleve për shkak të ndotjes së ajrit krijon kushte të favorshme që retë e bubullimave të shkaktojnë aktivitet rrufe.”
Më shumë se 200 njerëz janë vrarë nga shirat dhe rrëshqitjet e baltës në Indi, dhe 42 në Bangladesh, që nga 17 maji, ndërsa qindra mijëra njerëz janë zhvendosur.