Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, e ka mirëpritur miratimin e marrëveshjes së nënshkruar me MCC-në të enjten e 28 korrikut nga Kuvendi i Kosovës.
Ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se, kjo marrëveshje ndihmon që të punohet për një të ardhme të qëndrueshme për Kosovën.
“E mirëpresim ratifikimin e marrëveshjes së Kompaktit të MCC-së nga Kuvendi i Kosovës. Ky ratifikim, i miratuar brenda 24 orëve nga nënshkrimi i Kompaktit, na mundëson të fillojmë të punojmë drejt përshpejtimit të së ardhmes së qëndrueshme dhe të besueshme energjetike të Kosovës”, ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter.
Welcome the Kosovo Assembly's quick ratification of the @MCCgov Compact earlier today by unanimous vote. This ratification, approved within 24 hours of the Compact signing, enables us to begin to work towards accelerating Kosovo's sustainable and reliable energy future. https://t.co/2mSKUHE5jF
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) July 28, 2022
Të enjten e 28 korrikut në Kuvendin e Kosovës, me gjithsej, 89 vota pro nga deputetët dhe asnjë kundër, është ratifikuar marrëveshja që Qeveria e ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në Kongresin Amerikan.
Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë.
Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë, ku përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë. Përmes baterive synohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.