Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK) ka njoftuar se vetëm në muajin qershor të këtij viti janë larguar 88 persona nga skema e veteranëve.
ASK-ja ka njoftuar se është rritur numri në skemat të tjera sociale, duke shënuar rekord të përfituesve nga skemat sociale në Kosovë.
Në Kosovë vazhdojnë debatet në lidhje me vlerën e pensionit të veteranëve dhe numrin e atyre që duhet të përfitojnë të mira financiare nga pjesëmarrja në luftë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat për muajin qershor. Në bazë të këtyre statistikave zyrtare, në qershor ka pasur një rënie të numrit të veteranëve që kanë përfituar pensionin e luftës.
Derisa në muajin maj nga skema e veteranëve kanë përfituar financiarisht 36,907 ish-pjesëtarë të UÇK-së, në qershor ky numër ka rënë për rreth 100 sosh (88), dhe të mirat i përfituan 36,819 veteranë.
Njëkohësisht, ky është numri më i vogël i veteranëve që përfitojnë të mira nga shteti për këtë vit.
Mirëpo sipas të dhënave të ASK-së, numri i përgjithshëm i përfituesve nga skemat sociale në qershor ka kapur shifra rekord me 321,785 përfitues për muajin qershor.
Zyrtarisht, në Kosovë janë regjistruar si veteranë të UÇK-së rreth 53 mijë persona.
Mirëpo, pensione nga shteti përfitojnë vetëm ata që nuk janë të punësuar e që për muajin qershor ishin 36 mijë e 819.
Listat e veteranëve tashmë janë pjesë e një procesi gjyqësor që ka filluar prej vitesh, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë epilog.
Çështja e pastrimit të listës së veteranëve u aktualizua pas protestës së tyre më 6 qershor të këtij viti, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e veteranëve në rritjen e pagës minimale.
Rritja e pagës minimale nga 170 në 264 euro bruto (250 neto), është paraparë me disa ndryshime ligjore të sponsorizuara nga Qeveria e Kosovës.
Më 26 prill të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”, ndërkaq në fillim të qershorit, për kryetar të trupit gjykues është caktuar gjykatësi Gazmend Bahtiri.
Kthimi i rastit për rigjykim nga Gjykata e Apelit ka ndodhur pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021, ndaj të akuzuarve që ishin të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në këtë rast, miratimin e listave të veteranëve nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve.
Të akuzuar ishin ish-ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u dyshua se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.