Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, se tre persona kanë pësuar lëndime trupore në qytetin e Gjilanit pasi një vinç ka rënë sot mbi veturën me të cilën po udhëtonin, si pasojë e erërave të forta.
Katër persona, sipas Policisë së Kosovës, janë lënduar nga moti i lig me era të forta në komunën Gjilanit.
Por “fatmirësisht, gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile”, ka thënë ai.
“Rreth orës 19:15 në qytetin e Gjilanit ka pasur erëra të forta dhe shi, ku nga erërat e forta kanë pësuar lëndime në njerëz dhe dëme materiale të konsiderueshme”, thuhet në përgjigjën e tyre për Dukagjinin.
Ndërsa, kjo ngjarje kishte ndodhur në “rrugën ‘Lufta e Gjilanit 44’ ka rënë një krane (vinç) mbi një veturë, në të cilën kanë qenë tre persona, ku sipas mjekut gjendja e tyre është stabile. Në qendër të qytetit kemi edhe një person të lënduar, gjendja e tij është stabile”, ka thënë Hashani.
Siç ka treguar ai, të gjithë të lënduarit janë duke u trajtuar në Emergjencën e Gjilanit.
Ai ka bërë të ditur se në teren janë angazhuar të gjitha njësitet emergjente, policia, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe njësitet e KEDS-it, dhe se për momentin gjendja është stabile.
“Vërshime deri në këto momente nuk kemi të raportuar dhe të gjitha rrugët janë të qarkullueshme”, ka përfunduar ai.