Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të premten për të vazhduar 12 pikat e papërfunduara në seancat e kaluara, ndër to do të jetë edhe debati për vizat.
Pikat e mbetura nga seancat e kaluara janë: Votimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021; Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT për vitin 2021; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”; dhe Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
Ndërkaq, të enjten Kuvendi i Kosovës me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, e ka miratuar Rregulloren e re.
Po ashtu, është miratuar Marrëveshja e Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Paraanëtarësimit (IPA III).
Po ashtu, me shumicë votash është ratifikuar marrëveshja në mes të Kosovës dhe MCC-së, që i siguron vendit 236 milionë dollarë për sektorin energjetik.