Të premtën e 29 korrikut, Ministria ruse e mbrojtjes ka akuzuar forcat ukrainase për vrasjen e 40 të burgosurve në një sulm në Ukrainën lindore të kontrolluar nga separatistët.
Në një deklaratë, ministria ruse e mbrojtjes ka thënë se “regjimi i Kievit kreu qëllimisht një provokim të përgjakshëm”.
Në akuzën e Ministrisë ruse thuhet se qendra e paraburgimit në zonën e vendbanimit Yelenovka (Olenivka), ka përfshirë militantë të formacionit Azov dhe është goditur nga një sulm raketor nga sistemi amerikan i raketave të shumëfishta HIMARS. Ministria ka pretenduar se 40 të burgosur ukrainas të luftës u vranë dhe 75 u plagosën.
Përveç kësaj, tetë punonjës të repartit të izolimit morën lëndime me ashpërsi të ndryshme, raporton CNN.
Burgu Olenivka pranë Donetsk është përdorur për të strehuar shumë nga ushtarët ukrainas që u dorëzuan në uzinën Azovstal në Mariupol disa muaj më parë.
Ministria ruse e mbrojtjes ka pretenduar se “ky provokim i hapur ishte kryer për të frikësuar ushtarakët ukrainas dhe për t’i parandaluar ata të kapeshin rob, ndërsa rrethanat e këtij provokimi janë duke u hetuar.
Televizioni shtetëror rus shfaqi video të shkurtra të supozuara nga vendi i ngjarjes, duke treguar një ndërtesë të dëmtuar rëndë me një vrimë të madhe në çati.