Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se, nga data një gusht të vitit 2022, çdo shtetas serb që paraqitet për kalim të kufirit të Kosovës do të pajiset me një dokument për hyrje-dalje.
“Bazuar në vendimin e Qeverisë nga mbledhja e 85 e saj, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje-Dalje”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit, dokumenti për Hyrje-Dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, dokumenti për Hyrje-Dalje, do të përdoret edhe gjatë marrjes së shërbimeve në institucionet shtetërore të Kosovës.
Ky dokument sipas Qeverisë së Kosovës, do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror. Ky dokument do të ketë afat vlefshmërie 90 ditë.
Me këtë dokument do të pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument të identifikimit, por kusht për ta është që duhet të kenë certifikatën e lindjes me fotografi.