Laurit Krasniqi i cili shkëlqeu ndaj Dritës duke shënuar edhe gol, tashmë i është bashkuar përfaqësueses së Kosovës për të përfaqësuar “Dardanët” në nivelin ndërkombëtar.
Federata e Futbollit të Kosovës ka dhënë lajmin se mesfushori i krahut të majtë të skuadrës belge Royal Antwerp, Laurit Krasniqi, ka vendosur ti bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.
Krasniqi të enjtën e 28 korrikut luajti për herë të parë në stadiumin “Fadil Vokrrri”, në ndeshjen kundër Dritës në Ligën e Konferencës dhe ishte vendimtar në kualifikimin e skuadrës së tij, duke shënuar golin i cili e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.
Agim Ademi është takuar me futbollistin dhe e ka bindur që në nivel ndërkombëtar ta përfaqësojë Kosovën.
Futbollisti është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës.
Shumë shpejt, Lauriti, pritet të paraqitet në këtë stadium edhe në fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe të shndërrohet në idhullin e tifozëve dardanë.