Pjesët e veturës janë krejt çka kishte mbetur nga një aksident me fatalitet në rrugën Prishtinë-Podujevë.
Aty kanë humbur jetën një 35 vjeçare dhe një 36 vjeçar që kishin marrë rrugën nga Sllovenia për të ardhur në Kosovë.
Në veturën e aksidentuar ishin edhe dy fëmijët e viktimave, të cilët tashmë janë jashtë rrezikut për jetë.
Detaje për gjendjen e tyre dha doktoresha kujdestare në emergjencë të QKUK-së, Valbonë Gashi.
“Në orët e hershme të mëngjesit janë sjellur dy fëmijë të gjinisë femër dhe mashkull, të moshës 5 dhe 3 vjecare. Gjendja e tyre për momentin është stabile, diagnostikimi po thuajse ka mbaruar, njëri fëmijë është kryesisht me lëndime të eksrimiteteve të posshtme dhe tjetri ka lëndime të kokës dhe të eksrimiteteve poashtu”, ka deklaruar Gashi.
Policia e Kosovës i treguan televizionit RTV Dukagjini se trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore(IML)
Ndërsa, televizioni ka kuptuar që autobusi me të cilin është aksidentuar vetura kishte qenë i ndalur dhe pa pasagjer.
Për këtë arsye Dukagjini ka kontaktuar me kompaninë që kishte në posedim këtë autobus por ata nuk kanë dhënë detaje për rastin.
Viktimat dhe të lënduarit janë me origjinë nga Komuna e Malishevës.