E premtja ka qenë me një mot tipik për stinën e verës në Gjilan, por orët e mbrëmjes të një ditë më parë, nuk ishin kështu.
Shiu i rrëmbzeshëm bashkë me erëra të forta, shkaktuan jo pak dëme në këtë komunë.
Në rrugën “Lufta e Gjilanit 44” disa persona që gjendeshin me veturë afër një kantieri ndërtimi, morën lëndime pasi një prej makinerive për bartjen e materialeve ndërtimore, përfundoi mbi veturën e tyre.
Në rrezik kanë qenë edhe një familje me vajzën e tyre 7-vjeçare në Gjilan, që fatmirësisht kanë shpëtuar pa lëndime serioze, pasi një vinç ra mbi veturën e tyre, gjatë kohës kur kishte nisur shi e erëra të forta në këtë komunë. Inspektorati i Punës, pritet të nxjerrë një raport për të parë nëse bëhet fjalë për lëshime gjatë procesit të punës.
“Në këtë gjendje ka ardhur kjo veturë që mbrëmë kishte tre persona brenda, përpara se të binte një vinq si pasojë e erërave të forta dhe shiut”.
Brenda saj gjendeshin një çift me vajzën 7-vjeçare të cilët po kalonin përmes kësaj rruge. Të njejtit janë dërguar në qendrën emergjente në Gjilan.
Në vendin e ngjarjes ekipi i televizionit ka takuar familjarët e të lënduarve që nuk kanë dashur të flasin para kamerës por prapa saj thonë se të dëmtuarit janë duke u trajtuar në shtëpi por ende në gjendje shoku.
Se janë jashtë rrezikut për jetë e ka konfirmuar edhe drejtori klinik i Spitalit të Gjilanit, Ukshin Ismajli.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë zjarrëfikësit dhe Inspektorati i Punës.
Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani ka thënë se Inspektorati, pritet që të nxjerrë një raport për të analizuar arsyet e rënien e vinçit, nëse bëhet fjalë për lëshime në proces të punës, raport që pritet të i përcillet Prokurorisë së Shtetit.
Përveç Gjilanit, me kushte të ngjashme atmosferike janë ballafaquar edhe disa komuna të tjera të vendit.