Në zemrën e gjelbërt të kryeqytetit, në mesin e dritave, miqve dhe muzikës, është vendi ku “Film n’park” shënon një rikthim pas kufizimeve nga pandemia COVID-19.
Për shumë njerëz, shikimi i një filmi nënkupton të arrish të dëgjosh dhe ta gjysmëpërjetosh një histori.
Për të rinjët pritshtinas, kjo nënkuptohet sikurse të krijuarit e një pjese të paharrueshme të historisë së ditëve të verës.
E filluar sikurse një inciativë e një grupi vullnetarësh përgjatë vitit 2017, “Film n’park” rikthehet pas dy vjetësh kufizimesh nga pandemia COVID-19.
Për pjesëtaren e grupit organizues të “Film n’park”, Dea Lala, qëllimi i këtij aktiviteti është një organizim i përballueshëm financiarisht dhe njëherësh, argëtues për të rinjët e Prishtinës.
“Kryesisht kemi pasur mesazhe shumë të mira ngase nuk ka pasur ndonjë aktivitet të tillë më herët”.
Sipas Lalës, e vetmja gjë që i mungon këtij organizimi është leja nga Komuna e Prishtinës.
“Realisht, mungesa është mbështetja e komunës. Mbështetjen formale e kemi, por jo edhe lejen për ta mbajtur në këtë hapësirë. Kemi kërkuar leje dhe u aprovua herën e parë. Mirëpo, herave të tjera është mbështetur nga nënkryetari i komunës, por jo edhe dhënia e lejës”, thotë Lala, gjersa e thekson një veprim të tillë sikurse “absurd”.
Të njëjtën për Portalin Dukagjini e ka thënë edhe Ora Osmani, pjesë e grupit organizues të “Film n’park”.
“Mbështetja nga ana e komunës mungon dhe as ne nuk i dimë arsyet, gjë që shpresojmë ta rregullojmë së shpejti”, ka thënë ajo.
Për këtë, Portali Dukagjini ka kontaktuar nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili ka thënë se janë duke e shqyrtuar kërkesën.
“Nuk ka asnjë hezitim. Aty ka pasur punime në atë kohë… jemi duke e shqyrtuar kërkesën”, ka thënë Zogaj për Portalin Dukagjini.
Ndër të tjera, Osmani ka thënë se ajo çka dukshëm e dallon edicionin e këtij viti është interesimi më i lartë i shfaqur këtë vit.
Përveç filmit dhe muzikës së larmishme, pjesë e skenës së këtij organizimi është edhe hapësira e ofruar ndaj çdo të riu që ka talent për këndim.
Pjesë e këtij formati të karaoke-s, javën e kaluar ishte edhe Fjona Hashani.
Gjersa argëtoi publikun me këngët si “Bad Guy” nga Billie Eilish dhe “Shallow”, kënga e famshme nga dyshja e “A star is Born”, Hashani tha që njerëzit kanë nevojë për organizime të cilat gërshetojnë argëtimin dhe natyrën.
E pyetur se çfarë i mungonte këtij organizimi, ajo ka thënë për Portalin Dukagjini se “Çdo gjë që i shtohet këtij aktiviteti e bën akoma më të mirë”.
“Film n’park” u ka hapur dyert edhe grupmoshave më të reja të vendit.
Për Riga Lahi, nxënëse, është vendi perfekt ku mund të kalojë mbrëmjen e së premtes me shoqet, Umën, Arkidën dhe Emën.
Për një gjë pajtohen ato, që “Film n’park” është aktiviteti që i ka munguar Prishtinës.
Megjithëse, të premten muzika e paralajmëruar që nga ora 18:00 parashihej të përfundonte deri në orën 20:00, ajo vazhdoi jehonën e saj me kërkesën e atyre që ishin prezent.
“The boy in the striped pajamas” ishte filmi i shfaqur mbrëmjen e së premtes, film ky që tregon jetën e dy djemëve të së njëjtës moshë, mirëpo që jetojnë jetë të ndryshme si rrjedhojë e racës që kanë. Miqësia e tyre, simboli më i mirë i barazisë.
Javët e tjera përfshinin filmat sikurse “The age of Adeline”, “The Curse of La Lorona”, “Ted” dhe “The trial of the Chigago 7”.
Megjithëse mbrëmjet e “Film n’park” parashihen të mbahen çdo të enjte, këtë javë mbrëmja e së premtes i takoi këtij organizimi.
Ky organizim vullnetarësh pritet të mbahet deri në shtator.
Ndërkombëtarisht, aktivitete të tilla të filmit janë më të njohura sikurse “Drive-in Theater” që për dallim nga “Film n’park”, realizohen në parkingje të veturave.
Historikisht, “Drive-in Theatre” filloi më 1921 nga Claude V. Caver në Comanche, Teksas.
Caver mori një leje nga qyteti për të projektuar filma në qendër të qytetit
Ndërkaq, “filmat në natyrë” u bënë një argëtim i njohur veror ndër vite.