Krejt minimal po del të jetë interesimi Qeverisë së Kosovës në investime kapitale.
Buxhetin e destinuar për të ekzekutivi e ka shpenzuar më së paku gjysmën e pare të këtij viti.
Kjo sipas një raporti të Institutit GAP, sipas të cilit, në nivelin qëndror është shpenzuar vetëm 9% e buxhetit për investime kapitale, kurse për nivelin lokal 19%.
Shifra kaq të ulëta, sipas GAP-it, nuk janë regjistruar në dekadën e fundit, përfshirë këtu edhe vitet e pandemisë.
RTV Dukagjini ka pyetur Qeverinë për këtë çështje, por gjatë së shtunës nuk ka treguar arsyet e nivelit të ulët të shpenzimeve për këtë kategori.
Këtë situate fort shqetësuese e vlerëson njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
Sipas tij, qeveria duhet të reflektojë, sidomos në këtë periudhë të inflacionit rekord.
“Duhet të kuptohet që paratë e taksapaguesve duhet tu kthehen qytetarëve përmes porjekteve, këto projekte kanë rëndësi edhe ekonomike edhe sociale po edhe integruese. Sepse në fund të fundit me këto projekti përfiton qytetari, përfiton biznesi dhe krijohet një kontinuitet I stabilitetit ekonmomiik që fatkeqsisht Kosovës po i mungon”, ka thënë Gërxhaliu.
Statistika të tilla kanë nxitur reagimin e kritikëve të Qeverisë, përfshirë këtu edhe kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”, ka thënë Abdixhiku.
Gjatë gati një vit e gjysmë qeverisjeje, ekzekutivi i Kurtit, sipas Abdixhikut, nuk ka lënë asnjë shenjë në investime kapitale.