Mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka përfunduar, transmeton Portali Dukagjini.
Kurti së bashku me akterët kryesorë të sigurisë, për rreth dy orë kanë diskutuar për çështjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.
Zbatimi i reciprocitetit do të fillojë nga e hëna, përderisa gjatë së dielës Kurti ka thënë se Këshilli i Sigurisë do të mblidhet pë t’i shikuar masat që janë planifikuar të merren, në mënyrë që gjithçka të shkojë në rregull.
Pas përfundimit të mbledhjes, nga objekti i qeverisë janë parë duke u larguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, si dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Petrit Ajeti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në mbledhje Këshillin e Sigurisë me rastin e fillimit të zbatimit të reciprocitetit për letërnjoftime me Serbinë dhe fillimin e regjistrimit me targa RKS për automjetet me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që pritet të fillojë nga e hëna.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitet, ka ngjallur shumë reagime në Serbi.
Madje, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se pas këtij veprimi do të nisin formimin e Asociacionit.
Nga 1 gushti, qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare.
Njëherësh, nga e njëjta datë fillon regjistrimi i veturave që posedojnë targa ilegale që të kthehen në targa RKS.
Përgjatë konferencës të së shtunës, Kurti kishte thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës do të diskutohet nëse janë marrë të gjitha masat që të dy vendimet qeveritare të zbatohen.
“Nesër në mëngjes e kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, ku do të diskutojmë me krerët e organeve dhe me disa ministra çështjet që mund të na shfaqen e të cilat duhet t’i kemi parasysh. Ka kriminelë të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme që nuk iu pëlqen ligjshmëria e kushtetuta dhe dëshirojnë ta sfidojnë shtetin e Kosovës”, kishte deklaruar Kurti.