Vendimi i cili parasheh zëvendësimin e targave në targat zyrtare të Republikës së Kosovës do të hyjë në fuqi nga e hëna e një gushtit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe njëherësh, për t’i bashkërenduar aktivitetet ndërinstitucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se nga e hëna e një 1 gushtit, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, i marrë më 29 qershor, vendim ky i cili parasheh fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletëdeklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse që shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe, për automjetet që hyjnë në territorin tonë.
Ky afat është shtyrë deri më 31 tetor të këtij viti.
“Institucionet tona kanë zhvilluar tashmë të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve, dhe në këtë drejtim i sigurojmë qytetarët tanë që mundësimi i zëvendësimit të targave ilegale, sikurse edhe kalimi i qytetarëve në pikë-kalimet kufitare do të procedohen në mënyrë të shpejtë, pa pengesa dhe në kohë të shpejt reale”, thuhet në njoftimin e Zyres së Kryeministrit.
Kurti së bashku me akterët kryesorë të sigurisë, për rreth dy orë kanë diskutuar për çështjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.
Lajmi i fundit: Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare