Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, vendimin e fundit të qeverisë për reciprocitet të targave dhe kartave të identifikimit personal me Serbinë, e ka emërtuar si “fetishizëm i reciprocitetit”.
Molliqaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se sikur qëllimi të ishte reciprociteti, atë “do ta manifestonin edhe në fusha të tjera”, përfshirë këtu siç thotë ai, tregtinë.
“Kur jemi te reciprociteti me Serbinë, pse jo në fushën e tregtisë? Sepse më vështirë? Sepse aty preken interesa më të mëdha? Sikur ta kishin për qëllim reciprocitetin, atë do ta manifestonin edhe në fushat të tjera shumë më vitale. Bilancin tregtar e kemi negativ. Importi nga Serbia vetëm sa është rritur”, ka shkruar Molliqaj.
Sipas Molliqajt, sfondi prej nga kjo qeveri po performon parimësinë është i natyrës konfliktuoze.
“Konfliktet e kontrolluara janë mashtrime me pasoja të pakontrollueshme. Pasiguria e tillë lëndon qytetarët, ngado. Kryeministri tash ka vendosur që ta thjeshtëzojë nocionin e sovranitetit. E ka varur për dokumente kalimi, targash, e nesër kush e di në çka! Por, marrëveshje përfundimtare nuk ka. Të paktën me këtë qasje”, shtoi ai.
Molliqaj nuk la pa kritikuar edhe partitë opozitare.
“Për keqardhje është edhe opozita parlamentare, duke e mbështetur pa kritikë dhe të zënë në faj, një udhë pa krye që sjell rreziqe”.
“Ka zgjedhur elemente të vogla (në krahasim me madhësinë e marrëveshjes përfundimtare) për ta ushtruar pushtetin, kur dihet se kjo çështje ka nyjën të lidhur në dialogun”.
Ndryshe, vendimi i cili parasheh zëvendësimin e targave në targat zyrtare të Republikës së Kosovës do të hyjë në fuqi nga e hëna e një gushtit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë në vend dhe njëherësh, për t’i bashkërenduar aktivitetet ndërinstitucionale në funksion të zbatimit të ligjshmërisë dhe të sundimit të ligjit në tërë Republikën e Kosovës.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se nga e hëna e një 1 gushtit, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, i marrë më 29 qershor, vendim ky i cili parasheh fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe për kalimin kufitar me fletëdeklarime të përkohshme që zëvendësojnë dokumentet e identifikimit personal nga Serbia, sikurse që shtyhet afati për mbulimin e simboleve dhe emërtimeve shtetërore serbe për automjetet që hyjnë në territorin tonë.
Ky afat është shtyrë deri më 31 tetor të këtij viti.
Vendimi i Qeverisë: Nga një gushti hyn në fuqi zëvendësimi i targave në RKS