Pas bllokimit të rrugëve me barrikada në Veri të Mitrovicës, Kryeministri Kurti ka fajësuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe drejtorin e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se ata janë përgjegjësit kryesorë për gjërat që po ndodhin atje.
“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre iu paraprijnë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Përmes një video-je në Facebook, Kryeministri i Kosovës u është drejtuar qytetarëve të vendit duke u bërë apel të përcjellin njoftimet nga Qeveria e Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.
“Mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre. Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për ju si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, ka shkruar Kurti.