Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e ka komentuar intervenimin e Policisë së Kosovës për të zbatuar vendimet e qeverisë Kurti 2 për reciprocitet dhe ndalim të qarkullimit të veturave më targa “KM”.
Sipas Mediumit Kosova Online, Rakiqi ndodhet në Rudar, ku janë të pranishëm një numër i madh i serbëve.
Rakiq, ka thënë se “situata është e tensionuar dhe se mund të ketë një përshkallëzim në çdo moment”.
Ai ka thënë se është në kontakt të vazhdueshme “me presidentin Aleksandar Vuçiq, ai ka kërkuar që të jemi të qetë. Nuk e dimë nëse do të mund të përballojmë presionin, por jemi të vendosur nëse qëndrojmë këtu, do të jemi këtu dhe do të mbrohemi”.
Sipas tij, rezoluta 1244 kishte definuar KFOR-in si forcën e vetme të armatosur.
Ai ka thënë se është duke pritur komandantin e KFOR-it, “pres ardhjen e tij”.
Ai ka pretenduar se qytetarët serbë janë të frikësuar, dhe nuk do t’i nënshtrohen vendimit të Republikës së Kosovës, e cila do të zbatojë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë nga 1 gushti i vitit 2022.