Në mbledhjen e saj të 91-të, Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, e ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizim me energji.
Këto masa emergjente sipas Qeverisë janë marrë për shkak të rritjes së shpejtë të çmimit të importit të energjisë, si dhe “paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit”.
Këto masa do të mbesin në fuqi për 60 ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës, ndërkaq sipas njoftimit, Kuvendi mund ta vazhdojë këtë afat për periudha të ndryshme nga 30 ditë.
“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë”, thuhet në njoftim.
Këto masa emergjente sipas Qeverisë përfshijnë:
“Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit;
Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave;
Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik;
dhe
Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet”.
Po ashtu, në njoftimin e Qeverisë thuhet se menaxnmenti i KEK-ut edhe pse me termocentrale të stërvjetruara, janë duke e bërë maksimumin që “blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore”.