Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për operacionin e ditës së diel në Veri të Mitrovicës.
Ai ka thënë “çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën”.
Haradinaj ka theksuar se veprimet e sigurisë për shtrirje të sovranitetit së pari duhet të studiohen dhe të analizohen mirë sepse siç është shprehur ai “Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente”.
Sipas tij, afati për shtyrjen e vendimit për reciprocitet prej 30 ditësh duhet të shfrytëzohet me seriozitet.
Haradinaj ka shtuar se “Shteti i Kosovës nuk dobësohet vetëm nga bandat kriminale në veri, por edhe nga të paditurit e praktikantët në qeveri”.
Në fund, ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta miratojë ligjin për paga, ligjet për sigurim shëndetësor e pensional.
Ndërkaq, kanë filluar të largohen bllokadat nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat ishin të vendosura që nga mbrëmja e së dielës, nga serbët lokalë të komunave veriore serbe.
Ky veprim vjen pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të shtyhen masat për reciprocitet me Serbinë për cështjen e targave dhe letërnjoftimeve.