Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk ka marrë asnjë ftesë nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrel, për një takim në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Në një konferencë për media, të thirrur në lidhje me situatën e tensionuar në Veri, kryeministri Albin Kurti ka thënë se në momentin që do ta ketë një ftesë të tillë, do ta shqyrtojë dhe do të dalin me njoftim.
“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi më 19 korrik, por ai ka kërkuar të shtyhet në fund të muajit gusht, mbase ka qenë i zënë me atë që ka përgatitur dje, është dashur të takohemi më 19 korrik. Kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërrasë Borell do të shkoj në Bruksel, një ftesë të tillë nuk e kemi, në momentin që e kemi sigurisht që do t’ju njoftojmë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti është shprehur se, pala kosovare është pro një dialogu parimor e të balancuar që do të sjellte një marrëveshje të obligueshme për të dyja palët, ku njohja do të ishte në qendër të saj.
I pyetur se a pritet të ketë ndonjë eskalim të situatës në veri, kryeministri i Kosovës ka thënë se kjo nuk varet nga Policia e Kosovës, as nga ai, por nga Beogradi, i cili sipas tij, po shkakton me qëllim trazira.
“Ne e kemi vullnetin e mirë, a do të ketë zhvillime agresive nuk varet nga policia e Kosovës, nuk varet nga kryeminsitri as nga qytetarët atje, por varen nga Beogradi që po nxit trazira”, ka thënë Kurti.
Në fund, kryeministri i Kosovës tha se për të nuk do të ishin të nevojshme këto masa të reciprociteti nëse Serbia nuk do të vepronte njëanshëm.
Kurti: Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë ende të mbyllura