A ka pasur ndikim presioni ndërkombëtar në shtyerjen e vendimit të Qeverisë për reciprocitet?

Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula dhe analistin politik, Artan Muhaxhiri vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shtyerje të masave të reciprocitetit ka qenë një vendim i bazuar në rendin kushtetues e rendin ligjor si shembull i veprimit institucional duke qenë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Bllokadat e fundit në pikën kufitare në Jarinjë

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet për hyrje-dalje, kjo pasi në ditën që duhej të implemetohej ky vendim, serbët lokalë në veri të vendit kishin vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak.

Kjo shtyerje e vendimit erdhi pas një takimi të mbajtur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Kërkesa e Hovenier ishte që të shtyhet vendimi për reciprocitet deri më 1 shtator për shkak të tensioneve në veri.

Ndërsa, të hënën, kryeministri Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë të përbashkët për media kanë bërë të ditur se deri sa të largohen të gjitha barrikadat, do të ketë implementim të vendimit të 29 qershorit për reciprocitet.

Të dy kanë konfirmuar se nga informatat zyrtare të Policisë së Kosovës, në veri kishte të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u malltretuan, ku po ashtu kishte edhe të shtëna ndaj njësiteve policore, por nuk kishte të lënduar.

E këtë vendim të Qeverisë për shtyerjen e masave të reciprocitetit, analistët dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e shohin si një model pozitiv të veprimit institucional.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula për vendimin e fundit të Qeverisë ka thënë se rendi kushtetues e ligjor në vend duhet të respektohet pa dallim etnie, e që ky veprim për të ka qenë dhe duhet të jetë imperativ i kohës.

Ai për portali Dukagjini, ka thënë se shtrirja e sovranitetit shtetëror ka qenë joprezente si rezultat i neglizhencës ndër vite.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula

Ndërsa në pyetjen se a ka qenë apo jo koha e duhur për këtë vendim ai ka thënë se duke marrë në konsideratë që ka një numër të madh të mërgimtarëve që vijnë në vendlindjet e familjet e tyre, ky veprim mund t’u kushtojë atyre me malltretime nga ana e zyrtarëve serbë përgjatë rrugës dhe pikëkalimeve serbe.

Pra siç thotë ai, ky nuk ka qenë muaji i duhur për hir dhe për shkak të bashkëkombësve, në të kundërtën, reciprociteti është parim i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk ka justifikim për moszbatim.

Për të, as lufta ndërmjet Ukrainës e Rusisë nuk mund të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë në raportet ndërshtetërore Kosovë-Serbi, por siç thotë ai, ngjarjet e tilla padyshim që kanë reflektim në mbarë Evropën dhe në rajon.

“Për palën serbe, tabelat dhe dokumentet e identifikimit kanë ngjallur një lloj përshkallëzimi mbase për të ruajtur atë status-quon për të mbajtur larg autoritetin e institucioneve qëndrore në atë pjesë të vendit”, ka thënë Pula.

Ndërsa sa i përket ndikimit të këtij vendimi në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ai ka thënë se procesi i dialogut do vazhdojë dhe se përpjekjet do të jenë në arritjen e koncensusit ndërmjet palëve dialoguese ngase gjeopolitika në rajon reflekton domosdoshmëri për prosperitet dhe zhvillim.

Por sipas tij, Beogradi herë pas here ka pasur një qasje deklarative destruktive, madje edhe kërcënuese në raport me Kosovën, dhe jo vetëm, por edhe ndaj Brukselit si lehtësues i dialogut.

I pyetur se si do ndikojë kjo në raportet e Kurtit me presidentin serb, Vuçiq në margjinat e dialogut , ai ka theksuar se i ngarkuari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë thirrje të vazhdueshme për takime të nivelit të lartë, por ishte pala serbe e cila vuri në pah një arsye për të mos takuar kryeministrin e Kosovës.

“Shtyerje si kjo e fundit, natyrisht se i shërben zvarritjes së një mori temash të papërmbyllura dhe atyre që nuk po gjejnë zbatim nga ana e palës serbe, por, duke e parë se sa e brengosur është Evropa lidhur me luftën në Ukrainë, fatin e Ballkanit perëndimor nuk do e lë pa vëmendje të shtuar, përfshirë edhe koncesusin e statusit juridik-politik të Kosovës me Serbinë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë ndër të tjera se për dallim nga presidenti serb, Vuçiq, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë të udhëtojë për në Bruksel për t’u takuar me të, dhe për të vazhduar dialogun për marrëveshje.

Ndërsa analisti Artan Muhaxhiri për portalin Dukagjini, ka thënë se ideja e shtyrjes njëmujore të vendimit për reciprocitet, të cilën Qeveria e aplikoi pas kërkesës së ambasadorit amerikan duhet shndërruar në praktikë të vazhdueshme edhe në të ardhmen.

Analisti, Artan Muhaxhiri

Ndër të tjera, ai ka thënë se në kontekste tejet delikate politike dhe të sigurisë, siç është Mitrovica e Veriut, mënyra më e dobishme e planifikimeve shtetërore është harmonizimi i plotë me aleatët kryesorë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA) dhe Gjermaninë.

Me qasje të këtillë pragmatike, Muhaxhiri ka shtuar se lidershipi kosovar dëshmon sens diplomatik dhe vizion realist, ndërsa njëkohësisht e vendos lidershipin serb në pozicion jashtëzakonisht të rëndë.

Për tensionet në veri të vendit, ai ka thënë se serbët atë pjesë nuk kanë autonomi vendimmarrëse politike.

Siç thotë ai, ata rebelohen vetëm kur marrin sinjal nga Beogradi.

“Prandaj, presionet ndërkombëtare janë të përqendruara atje, për të ndikuar rrjedhimisht në veri”, ka thënë Muhaxhiri.

Për analistin Muhaxhiri, reciprociteti me targa dhe letërnjoftime është edhe një hap drejt fuqizimit të identitetit shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë.

Ndërsa sa i përket ndikimit të kësaj situate në rrafshin global, ai ka thënë se ndaj zhvillimeve të së dielës ka pasur reagime nga përfaqësuesit institucionalë të Rusisë dhe Ukrainës, me qëndrime diametralisht të kundërta, gjë që dëshmon se situata në Kosovë ende gjeneron interesim global, përfshirë edhe shtetet që janë në luftë.

Kohëve të fundit, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë resurse diplomatike për ta përshpejtuar ecurinë drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Për Muhaxhirin, baza kryesore e vullnetit domethënës politik për progres kualitativ qëndron te udhëheqësitë respektive të Kosovës dhe Serbisë.

Sepse siç thotë ai, pa gatishmëritë e tyre të mirëfillta, presionet nuk mund të rezultojnë me ndryshime të mëdha.

“Gjithsesi, do të ishte skenar ideal që ngjarjet e së dielës mbrëma të shndërroheshin në motiv për energjizimin e dinamikave të dialogut në Bruksel”, ka shtuar Muhaxhiri.

Ai ndër të tjera ka thënë se, Serbia është cenuar politikisht dhe stigmatizuar medialisht nga lufta në Ukrainë, pasi aleatja e saj kryesore Rusia, nga e gjithë bota demokratike tashmë konsiderohet si shtet me ideologji fashiste.

“Kjo është arsyeja që Vuçiq është në pozitë të palakmueshme, i gjendur mes presioneve antiruse nga akterët e fuqishëm globalë dhe pjesës militante proruse të elektoratit të tij”, ka theksuar ai.

Sipas Muhaxhirit, periudha aktuale është tejet e volitshme për ta vazhduar dialogun.

Ai ka përfunduar duke thënë se për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka që ta sfidojë temën e konfliktit të ngrirë, sepse e dëmton fundamentalisht perspektivën e shtetit dhe shoqërisë kosovare, ndërkohë humb shansin që të përfitojë maksimalisht nga dobësimi i rolit dialogues të Serbisë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika