Tensionet e mëdha në Veri, një natë më parë ia çuan në derë presidentes Vjosa Osmani, ambasadorin amerikan Jaffery Hovenier.
Në këtë zyre u mblodhën edhe Albin Kurti bashkë me zëvendësat e tij, Besnik Bislimin e Donika Gërvallën.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë në Kosovë, krerëve të institucioneve në Prishtinë ua la në zyrë një kërkesë të qartë.
Uashingtoni, kërkonte shtyrje të zbatimit të vendimit për reciprocitet në dokumente dhe targa.
“Një nga arsyet që jam këtu për takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, nje kerkesë të gjatë të Qeverisë së SHBA-së për shtyrjen e implementimit e dy vendimeve për 30 ditë”, kishte deklaruar Jeff Hovenier – Amabsadorë i SHBA-së në Kosovë.
Kërkesa e ambasadorit Hovenier u përfill, dhe qeveria njoftoi se do e shtyjë vendimin për një muaj, nën kushtin e largimit të barrikadave.
E një vendim të tillë, analisti politik Artan Muhaxhiri e konsideron si të drejtë dhe model edhe për të ardhmen.
Sipas tij, për datën 31 korrik ishin paraparë dy plane.
“Kjo që ndodhi mbrëmë ishte një model se si duhet të harmonizohen veprimet me ndërkombëtarët për tema delikate. Ky ka qenë plani B pasi plani A ka qenë që Qeveria ta shikojë deri në çfarë mase mund të reagojë Beogradi dhe pas gjendjes ka kaluar në planin B. Ambasadorit amerikan i dergoi mesazh jo vetëm Kosovës e Serbisë por edhe shteteve të QUINT-it . Kjo duhet të merret shembull edhe për ngjarjet e tjera që pa një dakorim më ndërkombëtarët mos të merren hapa”, thotë Muhaxhiri.
Duke parë që tendenca për destabilizim të Kosovës përmes Serbisë nga Rusia ishte e qartë, një vendim i tillë parandaloi çdo gjë, thotë Gazmir Raci, njohësi i çështjeve politike.
Madje sipas tij, ky vendim ishte i duhuri për natën e mbrëmshme.
“Për shkak të situatës veprimi i Qeverisë së Kosvës ishte vendimi më i duhuri i atij momenti. Tendenca për me destabilizu Kosovën nga Rusia përmes Serbisë ishte e kuptueshme. Nuk do të ndryshojë kjo gjendje e dialogut por nevojitet vullneti i dyaanshëm që të rikthehen në tryezë. Ky moment duhet të shfrytëzohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare pasi marrëveshjet teknike vetëm po përbjënë problem”, ka thënë Raci.
Gjatë ditës reciprociteti në dokumente është aplikuar në të gjitha pikat kufitare përveç atyre në Jarinje dhe Bërnjak.