Pritjet në vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë, për dallim nga ditët e tjera, të martën e dy gushtit nuk janë të gjata.
Raporti i Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar se pritjet për hyrje janë vetëm 10 minuta, në përjashtim të pikës kufitare në Jarinjë që raportohet të jetë deri në 20 minuta.
Edhe në dalje të pikave kufitare, pritjet nuk janë të gjata.
Sipas Qendrës kombëtare për menaxhim kufitar në asnjë prej pikave kufitare nuk paraqiten kolona të automjeteve.
Ndryshe, të hënën e një gushtit pritjet më të gjata janë regjistruar në pikat kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë.
Në hyrje të pikës kufitare në Merdar, pritjet në hyrje janë deri në një orë, ndërsa në dalje deri në 180 minuta, ndërkaq kolona e automjeteve është deri në 1000 metra.
Kurse në hyrje të pikës tjetër kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet deri në 90 minuta, ndërkaq kolona e automjeteve është deri në 1000 metra.
Në vendkalimet e tjera kufitare të Kosovës, si në Muçibabë, me 30 minuta pritje me 250 metra kolona.
Ndërkaq, të dielën e 31 korrikut, vendkalimet kufitare, Jarinjë e Bërnjak kanë qenë të mbyllura për shkak të zhvillimeve të fundit në Veri të Mitrovicës, si pasojë e reciprocitetit të targave dhe atij të dokumenteve me Serbinë.
Këto dy pika kufitare janë liruar për qarkullim pasditën e së hënës pas heqjes së barrikadave.