Në Klinikën e Kardiokirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë janë realizuar operacionet me procedurën e re të zëvendësimit të Valvulës Aortale, e quajtur Perceval.
Bëhet fjalë për valvula biologjike të kualitetit të lartë, të cilat janë vendosur me procedurën e veçantë, pa pasur nevojë që proteza të fiksohet me penj kirurgjikë.
Proteza biologjike vendoset me ndihmën e stentit te veçantë dhe me një hapje minimale të aortës.
Kjo procedurë e shkurton dyfish kohëzgjatjen e operacionit, siguron kualitet të lartë të valvulës dhe minimizon komplikimet e organeve, si pasojë e kohëzgjatjes më të madhe të operacioneve kardiokirurgjike.
Operacionet janë kryer nga kardiokirurget vendorë, anesteziologë dhe pjesa tjetër e ekipit operator, me asistimin e një profesori nga Greqia.
Përveç këtyre sukseseve në operacione, në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë tri ditëve të fundit, janë kryer 45 lindje, prej tyre 6 me operacion.
“23 foshnja i takojnë gjinisë femërore, derisa 22 tjera i përkasin gjinisë mashkullore”, thuhet në njoftim.