Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se masa e reciprocitetit të targave dhe ajo e dokumenteve kanë qenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Hovenier ka theksuar se ShBA-ja ka mirëpritur vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit.
“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier.
The U.S. welcomes the decision by Kosovo’s leaders to suspend temporarily the implementation of reciprocity measures on license plates & entry/exit documents, both measures are fully in line with the Brussels agreements and were coordinated with the international community. 🇽🇰🇺🇸
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) August 2, 2022
Ndërkaq, para mesnatës së një gushtit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë implementimin e vendimeve të reciprocitetit të letërnjoftimeve me Serbinë dhe atë për targa.
Vendimi është marrë pas takimit të krerëve shtetërorë të Kosovës me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
ShBA-ja ka kërkuar të shtyhet implementimi i vendimeve për 30 ditë. Zbatimi i vendimeve është shtyrë deri më 1 shtator, por me kusht që të hiqen barrikadat në veri.
“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”.