Të martën e 2 gushtit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri.
E para e vendit, në këtë takim ka kërkuar që ky shtet ta vazhdojë edhe më tutje mbështetjen ndaj Kosovës me thellimin e marrëdhënieve jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik, në fushën e shëndetësisë, turizmit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Më tutje në takim, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për investime të huaja, ndaj ka kërkuar nga ambasadori Al-Marri që investitorët nga Katari ta shohin mundësinë e investimeve eventuale.
Po ashtu gjatë ditës, edhe Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është takuar me ambasadorin jorezident të Katarit në Kosovë, Ali bin Hamad Al-Marri, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në mes të dyja shteteve në shëndetësi.
Në këtë takim është diskutuar për mundësitë dhe format e bashkëpunimit në fushën e shërbimeve shëndetësore ndërmjet të dyja vendeve, duke marrë për bazë marrëdhëniet e shkëlqyera reciproke diplomatike.
“Ministri Latifi shpalosi para Ambasadorit Al-Marri disa nga prioritetet kryesore në procesin e transformimit të sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës, e ku partneriteti dhe përkrahja nga vende partnere si Katari do të ishte tejet e rëndësishme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në takim, ministri Latifi ka shfrytëzuar rastin që të ripërsëritë ftesën për realizimin e një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës të Ministres së Shëndetësisë së Shtetit të Katarit, Dr. Hanan Mohamed Al Kuwari, dhe falënderoi për kontributin që ky shtet i ka dhënë Kosovës gjatë viteve dhe gjatë pandemisë.
Ambasadori Al-Marri nga ana e tij shprehu gatishmërinë për të mbështetur thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës edhe në fushën e shëndetësisë.