Qeveria e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media ka treguar se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të martën në mbrëmje ka pritur në Kryeministri mërgimtarët të profesioneve të ndryshme, dhe ka biseduar për ide dhe mundësi të reja për bashkëpunim me mërgatën.
Kryeministri iu uroi bashkatdhetarëve mirëseardhje në Kosovë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur”, tha ai.
Kryeministri, gjithashtu, ka theksuar vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare, program i cili ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në poltikë.

“Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikëbërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke iu krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë. Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kryeministri tha se kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human”, thuhet në njoftimin për media.
Kurti ka thënë se mërgimtarët duhet te ndihen mirë këtu, pasi këtu është kombi i tyre, por edhe në vendin ku veprojnë duhet te ndihen mirë pasi pjesën më të madhe të vitit e kalojnë atje.
“Asaj thënies së famshme nga pak pesimiste se bashkatdhetarët po ndihen as atje as këtu, kryeministri tha se i përgjigjemi me të kundërtën që besojmë se është e vërteta, ju jeni edhe atje edhe këtu, jeni fizikisht pjesën më të madhe të vitit jashtë atdheut, por, gjithsesi, gjithmonë brenda kombit”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar edhe të hyrat që vijnë në Kosovë nga mërgimtarët.
“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar, ka thënë kryeministri.