Të mërkurën e tre gushtit, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott, në objektin e Qeverisë së Kosovës është takuar me Zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Kosovës, Besnik Bislimi.
Në këtë takim, siç njofton Zyra e Kryeministrit, është diskutuar për sigurinë energjetike, ekonominë dhe për situatën e tensionuar në veri të vendit.
Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ambasadori Abbott biseduan mbi zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe për vendimin e Qeverisë për shtyrjen me datë 1 shtator 2022, të dy vendimeve mbi regjistrimin e targave në RKS dhe dokumentit për hyrje-dalje, të datës 29 qershor 2022, në koordinim me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.
Gjithashtu, pjesë e bashkëbisedimit ishte dhe gjendja aktuale botërore energjetike dhe rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, ku zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për masat mbështetëse për qytetarët të miratuara nga Qeveria sa i përket emergjencës në furnizimin me energji.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Abbott për angazhimin e tij, bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Po ashtu nga objekti i Qeverisë së Kosovës është parë duke dalë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Siç mëson RTV Dukagjini, bëhej fjalë për një takim të rregullt midis Kurtit dhe ambasadorit amerikan.
Ndryshe, para mesnatës së një gushtit, Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim që të shtyjë implementimin e vendimeve të reciprocitetit të letërnjoftimeve me Serbinë dhe atë për targa.
Vendimi është marrë pas takimit të krerëve shtetërorë të Kosovës me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
ShBA-ja ka kërkuar të shtyhet implementimi i vendimeve për 30 ditë.
Zbatimi i vendimeve është shtyrë deri më 1 shtator, por me kusht që të hiqen barrikadat në veri.
Kurti takohet me ambasadorin amerikan, Bislimi me atë britanik