Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes(VV),Mimoza Kusari-Lila, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, sa i përket situatës së fundit në veri, ka thënë se veprimet e fundit të Policisë dhe organeve të sigurisë së Kosovës, kanë qenë pjesë e suksesit të shtetit, duke mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe duke ruajtur masat e reciprocitetit.
Sa i përket shtyerjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, ajo ka thënë se reagimet e opozitës kanë qenë pavend sikurse ishin duke pritur të ndodhte një dështim.
“Deklaratat e menjëhershme të opozitës se kinse veprimi nuk është i koordinuar me ShBA, se veri nuk është i menaxhuar mirë dhe se shteti është një eksperiment, krijon bindjen se se ata ishin duke pritur të ndodhte një dështim, por për më pak se 24 orë që u dhanë këto deklarata, kemi demantin nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier se gjithçka ishte e koordinuar me akterët ndërkombëtarë”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Sipas Kusari-Lilës, gjatë këtij muaji, Qeveria Kurti është organizuar në fushata vetëdijësuese për masat e reciprocitetit, por siç thotë ajo, bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi përsëri dëshironin të krijonin destabilitet të vendit, duke dërguar në riorientim të debatit për defunksionalizim të Kosovës.
Ndër të tjera ajo ka thënë se betejat politike të vendit kur bazohen në dezinformata, dëmtojnë sigurinë e vendit.
“Kosova është model i sukseshëm i demokracisë funksionale”, ka thënë Kusari-Lila duke falënderuar të gjithë deputetët për koordinimin në punimet e seancave, duke theksuar se kjo parashihet që të jetë seanca e fundit e sesionit pranveror, ndërsa Kuvendi i Kosovës fillon punën në shtator me sesionin vjeshtor.
Tahiri: Kurti po përpiqet të bëjë reciprocitet në çështje specifike, po anashkalon reciprocitetin e plotë
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar qartësi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit politike që po ndodhin në vend duke përfshirë edhe ngjarjet në Veri të Mitrovicës.
Gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të kosovës, Tahiri ka theksuar se ka diçka që e bën të paqartë situatën në raport me mentalitetin rreth reciprocitetit që kjo qeveri po përpiqet ta bëjë.
“Kryeministri po bën përpjekje të bëjë reciprocitet në çështje specifike, duke anashkaluar reciprocitetin e plotë, ndërsa e mban mend shumë mirë sesi politikisht është formuar duke na folur për reciprocitet të plotë me Serbinë që mandej nisi të zbatohet në çështje specifike”, ka thënë Tahiri.
Ai ka potencuar se nëse Kreu i Qeverisë së Kosovës do t’i përmbahej reciprocitetit të plotë, ai do të duhej të zërë vend së pari në fushën e ekonomisë.
“Po flas për reciprocitetin që garanton kushte të barabarta për ndërmarrësit e të dyja vendeve”.
Përderisa nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë, sipas Tahirit kjo “përzgjedhje selektive” e masave të reciprocitetit, krijon përshtypjen që para se këto masa të jenë qëllim në vete “janë qëllime instrumentale”.
“Nuk besoj që me këto masa kryeministri do të zgjedhë raportin bilatreal midis Kosovës dhe Serbisë, më shumë po duket si një lloj aranzhimi gradual. Pas këtyre ngjarjeve dhe kësaj paqartësie të thellë, një prej pyetjeve më legjitime që sot për sot është që t’i kërkojmë qeverisë qartësi”, u shpreh Tahiri.