Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka deklaruar se Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka bërë shkelje ligjore në kuvend, për shkak të emërimit të disa ambasadorëve të rinj, të cilët siç thotë ajo, janë përzgjedhur me mospraninë fizike të deputetëve.
Në një konferencë për media, Kadrijaj ka theksuar se më 29 korrik të këtij viti i është drejtuar kryesisë së kuvendit për interpretim për rastin e emërimit ose të intervistimit të konsullit të përgjithshëm të SHBA-ve sepse në sallën ku është mbajtur komisioni nuk ka pasur prezencë fizike të 6 deputetëve që është e përcaktuar me rregulloren e kuvendit.
“Kryetari i komisionit ka vazhduar dhe ka bërë përzgjedhjen me vota të deputetëve të cilët i ka kontaktuar përmes telefonit. Fillova të dyshoja se ndoshta kjo procedurë nuk është hera e parë që po bëhet dhe më pas kam hulumtuar dhe kam gjetur se të gjithë ambasadorët që kanë kaluar nëpër procedurat e komisionit parlamentar janë jo legjitim sepse nuk janë zgjedhur me votat e deputetëve, por me platformën Zoom”.
“Martin Berishaj si ambasador në Kroaci, Dren Doli në Holandë, Ilir Kapiti në Britani, Xhabir Hamiti në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mehdi Halimi në Francë, Florent Çehaja në Maqedoni të Veriut, Agon Vrenezi në Turqi, Nita Luci në Norvegji. Të gjithë këta konsideroj se janë jolegjitim. Është bërë shkelje ligjore në emërimin e tyre”, ka shtuar ajo.
Deputetja e partisë opozitare ka paralajmëruar se do të hiqen instancat më të larta ligjore për këtë rast, në rast se Kuvendi nuk merr masa.