Mbi 100 qytetarë afganë, të enjten e katër korrikut kanë arritur në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se procedurat e pritjes së tyre tashmë kanë mbaruar dhe ata janë akomoduar sipas marrëveshjeve paraprake.
“Sot mirëpritëm në Republikën e Kosovës 146 qytetarë afganë dhe procedurat e pritjes së tyre tashmë kanë përfunduar dhe janë akomoduar sipas marrëveshjeve paraprake. Ky proces po zhvillohet jashtëzakonisht mirë falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë, ShBA dhe NATO”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i këtij dikasteri ka thënë se në koordinim me të gjithë akterët e brendshëm institucional dhe shtetet aleate të Kosovës, “jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë qytetarëve që po ballafaqohen padrejtësisht me konflikte e luftë, t’iu mundësojmë strehim, mirëqenie e siguri për aq kohë sa janë në shtetin tonë”.
Ndryshe, më pesë nëntor, Ambasada e ShBA-së kishte bërë të ditur se rreth 100 afganë që ishin strehuar në Kosovë ishin nisur drejt ShBA-së.
Ndërkaq, më 16 shtator, mbi 100 afganë ishin larguar nga Kosova drejt Britanisë së Madhe.
Më pas, edhe 51 të tjerë ishin larguar nga Kosova më 19 shtator.
Ndërsa, më 29 gusht të vitit 2021, kishte arritur grupi i parë i afganëve në Kosovë, ku raportohej se në atë avion gjendeshin 111 persona.